Dy persona u qëlluan për vdekje në një kompleks argëtimi në Jacksonville të Floridës, dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve një djalosh shqiptar.
Policia e identifikoi vrasësin si David Katz, 24-vjeçar nga Baltimore, i cili vendosi të vetëvritej në vendngjarje.
Të shtënat ndodhën gjatë një turneu videolojërash që po zhvillohej në Jacksonville Landing, një kompleks gjigant tregtar, argëtues dhe për të ngrënë.
Mes të mbijetuarve ishte edhe shqiptari Drini Gjoka, një 19-vjeçar pjesëmarrës në turneun e videolojërave, i cili e përshkroi ngjarjen në “Twitter”, duke e quajtur si “ditën më të keqe të jetës” së tij.
“Jam shumë me fat. Plumbi goditi gishtin tim”, ka shkruar Drini, e ndërsa më tej ka shtuar se jeta mund të të shkurtohet në një sekondë.
Viktimat nuk janë identifikuar ende, derisa të informohen fillimisht të afërmit e tyre.
Florida është bërë skenë e shumë vrasjeve masive gjatë viteve të fundit, përfshi ngjarjen e klubit të natës “Pulse” në Orlando, gjatë vitit 2016, kur vdiqën plot 49 persona; por edhe të shtënat në shkurt të këtij viti në një shkollë, ku mbetën të vdekur 17 persona.
No comments:
Post a Comment