Nuk kam aspak si qëllim t’ju tremb, por nëse doni të shijoni ditën e dasmës sa më shumë të jetë e mundur, janë disa gjëra që duhet të shmangni patjetër. Pasi nga të gjitha ditët, kjo është ditaqë duhet të jesh më e lumtura në botë sepse po i thua “PO” njeriut që të ka rrëmbyer zemrën. Ndaj që të përjetosh ditën më të lumtur të jetës, do të rrëfej gabimet që bëra në dasmën time, që të paktën ju t’i evitoni. Sa e thjeshtë do të ishte e gjitha nëse do të ekzistonte një manual: “Si të martohesh?” Por meqënëse nuk e kemi, do të ndihmojmë me ç’të mundemi njëra-tjetrën.
Moti
Le ta nis me motin, burimi i streseve të mia, aq sa përfundova edhe pa ndjenja! E kisha ëndërruar gjithmonë një festë intime me miqtë e ngushtë dhe familjarët në natyrë, me dritat dhe yjet që shkëlqenin lart teksa vallëzonim deri në lindjen e diellit! Dhe ëndrra për pak do të bëhej realitet, nëse vetëm dy ditë përpara dasmës, moti të çmendej dhe ajo ditë të ishte dita më e ftohtë dhe plot stuhi në një mbrëmje në fundin e qershorit. E si të mos mjaftonte i gjithë ky ters, më duhej edhe të duroja familjarët të cilët më ngushëllonin me faktin: “Mos u shqetëso! Ti e di, shiu është bereqet!” Sa e thjeshtë do kishte qënë gjithçka, nëse nuk do t’i kisha besuar faqeve të motit! Mos u shqetësoni, dasma nuk u anullua, vetëm se u spostua brenda dhe u kthye në një festë! Ndaj harrojini ëndrrat, është më mirë t’i qëndroni realitetit dhe të bëni një dasmë si e gjithë bota, brenda në lokal.
Mos eksperimentoni me flokët
Si t’i bëjmë flokët? Epo kjo është pikërisht ajo pyetja që një nuse nuk do ta dëgjojë aspak ditën e dasmës! Duhet të jeni shumë të bindura sesi dukeni më bukur, ndaj disa ditë përpara dasmës nisni provat me parukjeren që në fund të mos keni asnjë surprizë. Në rastin tim, një orë përpara se të mbërrija në ambjentin ku do të mbahej festa, parukjerja, e cila është edhe mikesha ime, vendosi të eksperimentonte një ide të saj “brilante”, të cilën pasi e pashë shpërtheva në të qara! Nuk i besoja dot syve, koka ime dukej gjigande me një model flokësh të viteve xixë! Fatmirësisht, e mbante mend modelin të cilin e kishim provuar disa ditë më parë dhe për pak minuta isha gati! Ndaj vajza, kurseni lotët dhe kohën, thuaj JO eksperimenteve!
Takat
Nuk besoj se ke dëshirë të kuptosh nëse këpucët janë të rehatshme apo jo, ditën e dasmës! Këpucët e dasmës ishin dhuratë nga ime më, pasi për të një dhuratë e tillë, nënkuptonte se ishte shumë pranë meje në këto hapa të rëndësishme që po hidhja në jetën time. Normalisht, që isha mëse e lumtur për dhuratën, ama problem kryesor ishte nëse do të ishin realisht të rehatshme. Ndaj ia kërkova të mi sillte kërpucët disa ditë përpara dasmës dhe është pak të thuash që i kam mbajtur veshur ditë e natë, për të kuptuar nëse janë të duhurat për t’u mbajtur atë ditë. Gjithsesi, mos rrezikoni, merni me vete edhe disa sandale të tjera apo edhe të sheshta për t’i pasur si mundësi të dytë! Kurrë nuk i dihet.
Mos mendo për dasmorët
Nuset që lumturojnë të tjerët dhe harrojnë veten, po bëjnë gabimin më të madh të jetës! Dasma ime ishte një festë e madhe me miqtë e ngushtë dhe familjarët, të cilën ishin edhe pak nën efektin e alkoolit, dhe kërcyen sikur askush nuk po i shihte. Ndaj nuse e dashur, kap burrin për dore dhe kërce si të të vijë për mbarë, pasi teze Lindita të cilën ke muaj pa e parë, do e gjej sërish një koment negativ për ty dhe dasmën. Bëhu egoiste dhe shijoje në maksimum!
Mos harro të falenderosh personat e rëndësishëm
Asgjë e bukur nuk arrihet e vetme! Ndaj merr disa minuta për të falenderuar personat që ndihmuan në realizimin e ditës më të bukur të jetës tënde. Lule, dhurata, ose edhe disa fjalë të ëmbla do të lumturonin pa masë personat e dashur!
No comments:
Post a Comment